Ne kuader te bisedes per “antifashizmin”, ja se c’gjeta te blogu tjeter
Një nga ato është biseda në një kamp përqendrimi midis Liss, një oficer SS i rangut të lartë dhe një funksionari bolshevik të zënë rob, Mostovskoi, bisedë kjo që nxjerr në pah ngjashmërinë ideologjike të dy sistemeve, nazizmit dhe komunizmit. Një tabu edhe sot e gjithë ditën kjo temë: “Kur ne shohim njëri tjetrin, i thotë Liss bolshevikut të vjetër, ne nuk shohim vetëm një fytyrë që urrejmë, por shohim edhe veten në pasqyrë. Këtu është tragjedia e epokës sonë. Ju ( bolshevikët ) nuk shihni dhe njihni veten tuaj te ne? Mendohu mirë, kush gjendet në kampet tona të përqendrimit në kohë paqeje? Armiqtë e partisë dhe armiqtë e popullit, apo jo? Janë një racë që ju e njihni mirë e që mbush kampet tuaja. Nuk ka ndonjë golle midis nesh. Ne jemi veçse e njëjta lëndë në dy forma të ndryshme. Shtet-parti… Edhe ne thërrasim për unitet dhe hov kombëtar, edhe ne themi se partia shpreh aspiratat e popullit gjerman. (…) Ju besoni se na urreni ne, por kjo është vetëm dukja e gjërave; te ne ju urreni veten tuaj. Është e tmerrshme, apo jo? (faqe 371 e botimit frëngjisht).
Dhe gati të duket e pabesueshme tek lexon diku më poshtë, kur oficeri nazist i thotë bolshevikut të vjetër: Sot ju dukeni të tmerruar nga urrejtja jonë kundër judaizmit, por nesër jeni ju që do të bëni të njëjtën gjë…
Mjaft interesante më është dukur gjithmonë edhe analiza që Grosman i bën Betejës së Stalingradit, rolit të saj në histori. Triumfi i Ushtrisë sovjetike, thotë ai, fsheh në vetvete sa madhështi aq edhe horror, sepse fitorja e popullit rus doli të jetë triumf i Stalinit dhe i regjimit të tij imperial. Dhe pasi thotë se në breg të Vollgës u luajt fati i shekullit tonë, i forcave aleate dhe kjo është e vërtetë, por në të njëjtën kohë u luajt edhe një gjë tjetër**: ajo fitore ishte katastrofë për ata që u thyen, por edhe për ata që fituan! Ajo që u luajt aty,** thotë ai, është fati i kalmukëve, tatarëve të Krimesë… që me urdhër të Stalinit u degdisën në Siberi e humbën të drejtën t’u mësojnë fëmijëve gjuhën dhe historinë e tyre, u luajt fati i Mikohersit dhe mikut të tij aktorit Zuskin, shkrimtarëve Bergelson, Markish, Fefer, Kvitkvo, Nusinov (të gjithë personazhe të romanit që do të ekzekutohen ndërsa po gatitet procesi i Bluzave të bardha*)* . Aty u luajt fati i hebrejve që Ushtria e kuqe i shpëtoi dhe mbi të cilët Stalini do të vërtisë shpatën që i mori nga dora Hitlerit…
Nëpër faqet e këtij romani të madh në të gjitha kuptimet, V. Grosman përpunon një lloj teorie filozofike e sociale rreth shumëfytyrësisë së fashizmit botëror. Dhe në origjinë të tij ai vendos Revolucionin e Tetorit. Sipas tij, udhëheqësit e Revolucionit rus, mbase deshën t’i bëjnë mirë njerëzimit, por realisht ata sollën në fuqi Të Keqen, një të keqe të paparë ndonjëherë, të padëgjuar, apokaliptike, në shkallë universi. (Këtu mbase ka parasysh edhe katastrofën që u kushtoi kombeve të tjera ku u vendos një regjimi stalinist)