Vitet e fëmijës qenë më të gjatë,
Tani s’ka ngjarje
Tani ndodhim ne.
U thamë sa as malli dot s’na bren -
E dëgjon krimbin e thatë të drurit,
Në natën e asgjësë, nga pika e askundit?
Mëngjesit një pluhur
Mbulon orendi,
Pluhur malli.
Nga unë as pluhur nuk bie.
Dje pashë si brehej një kokërr ulliri
Përfund pusit me margarita
Nga giljotinë e dhëmbëve.
U bre, nuk u pre,
Është kohë rodentësh,
Llohë studentësh
Të paditur,
Si drejtime ikjesh kriminelësh pas krimi,
Miku im.
Se ç’dhanë vitet, vërtet,
Veç më shumë kuptime e kumbime
Për fjalën “bar”?
“E prishi Kursalin bar-bari bagabond”,
Dëgjoj teksa kërkoj si shkrepse një “pse”
Të thellë
Xhepit,
Lidhur me qostekun dalës dhe gremçin e fjalës,
Hologramë intelektuali i viteve ’30,
Me dëshirë për bardh e zi
Dhe për pak zbehtësi
Të vjetër, të mirë.
Vij
Pa mundur t’i fshij
Ngjyrat pa shije, marrë pa dashje nga fshikja
Me lokalet obeze
Mbushur me gjindje
Acide, yndyrore dhe të ngopur,
Si zemrat në pragje arrestesh.
Janë përsosur jakat dhe çadrat, amigo, prodhohen në Indi,
Por shirat ama kanë harruar si laget
Dhe hapat nuk dinë
Të largojnë bukur,
Se të afrojnë
Jo e jo.
Nuk ka më Kursal, gringo, dhe më duket as ka pasur fare,
As surrogatë post-Kursalesh të paqenë nuk ka,
Me tym metafizik purosh,
Ku fugat e vdekjes i shkruan një fletë duhani,
Ku pamundësinë teorike të rethit
Mund t’ia shtrosh si hipotezë
Ende
Kamerieres
Duke porositur:
“Një kafe, të zezë.”
(Si jeta ime).
Se s’ka ngjarje tani,
Ndodhim ne.
Me fshatrat e njëjta - stepje e shpirtit
Siç me tezat për pejzat e materies
Që të shkasin në duar,
Fshatrat pa vatra vijnë edhe si lëndë, edhe si valë,
Materie në formë fushe
Me lulelakra dhe pazi të armuar.
Është kohë getosh dhe getash të grisura qëllimisht, muçaço,
Moj rimë e bekuar latine
për rapin në lagje, shqip, me naço dhe laço,
S’ka më rrap, por rap,
Ikën rr-ëtë e forta, e sotmja
Ështe veç një zgjatim i datëvdekjes
mbi pllakën e varrit të së djeshmes.
Nuk pikojnë më qiejtë, por çatitë
Që dinë të lagin shumë mirë
Nga një vend që vetëm i zoti e di,
Pa rrëke me gjyma, por me igrasi
E me themeli.
Qielli ku na pikon s’e dimë -
Nuk jemi zotër të tij.
Shkëlqim Çela
Nga përmbledhja me poezi “Veç e zbrazët rruga vezullon”, 2017.
Foto: Junhan Foong


dhe kur shoh; Emigranti yne,