Përçatje babelike

40 postime 2679 shikime 24 qershor 2022 në 05:52 e paradites
InkuizitoriMoth

mihai-ignat-romania-babel-e

Flober, Bouvard dhe Pécuchet (1881)
Dy protagonistët, me zanat kopistë, janë të pushtuar nga etja për njohuri enciklopedike, duan të dinë gjithçka që shkenca ka zbuluar dhe të mësojnë gjithçka që ka ndodhur. Ata hetojnë si autodidaktë fushat e panumërta të dijes njerëzore, i katalogojnë, ndajnë, rendisin, por pa asnjë kriter përzgjedhës. Bouvard dhe Pécuchet janë një enciklopedi e gjallë, lëvrojnë gjithçka ekzistuese në kulturë: artin e peizazhit, distilimin, kiminë, anatominë, farmaceutikën, frutikulturën, bujqësinë, fiziologjinë, mjekësinë, higjienën, astronominë, gjeologjinë, arkeologjinë, kritikën e letërsisë, teatrin, politikën, hidroterapinë, gjimnastikën, okultizmin, magnetizmin, spiritizmin, filozofinë, fenë, arsimin etj, pa fund.


Musil, Njeriu pa cilësi (1933)
Gjenerali Stumm von Bordwehr - monomaniak i dijes absolute dhe universale të distiluar nga miliarda faqe librash të prodhuara nga qytetërimi - hyn në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës dhe kupton i rrethuar nga katalogët dhe rreshtat e rafteve të librave, se nuk do të mjaftonin as dhjetëmijë vjet për t’ia dalë në krye ndërmarrjes së leximit të së gjitha njohurive që përmbaheshin aty.


Sartër, Neveria (1938)
Personazhi me llagap Autodidakti është një humanist eksentrik naiv me ambicie të fitojë gjithëkulturë duke lexuar tërë tekstet e bibliotekës së qytetit sipas rendit alfabetik pa asnjë kriter përzgjedhës. Pas shtatë vjetësh mundi të arrijë në shkronjën L.


Borges, Biblioteka e Babelit (1941)
Biblioteka në fjalë përmban të gjithë librat e mundshëm, çdo gjë ekzistuese dhe të menduar, çdo potencial të mundëshëm; asgjë nuk mungon në këtë Bibliotekë, megjithatë një jetë e vetme nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme për të gjetur çfarë kërkohet, kaq shumë janë dhomat e saj eksagonale për tu eksploruar.


Roberto Calasso, L’ innominabile attuale (faqe 87, 2017)

Në TED Talk të 25 Prillit 2017, Stuart Russell njoftoi një tjetër çështje të rëndësishme që do trajtohej në librin e tij të ardhshëm. Si mund të arrihej që roboti superinteligjent të orientohej midis vlerave njerëzore? Pyetje e vështirë, por - si zakonisht - e zgjidhëshme. Russell deri pardje kishte treguar se cili duhet të jetë objektivi i “Human-Compatible AI”. Por nuk ishte e qartë se si do veprohej. Si të gjithë bashkëpunëtorët e tij, Russell mendonte se një sasi masive të dhënash mjaftonte për të zgjidhur problemin. Zgjidhje tepër e përgjithshme. Tani duket se i ka ardhur frymëzimi që përcakton modus operandi që duhet ndjekur: makina duhet të mësojë të lexojë. Çfarë? Gjithçka. Do të lexojë “gjithçka që ka shkruar raca njerëzore”. Këto janë pak fjalë, por mjaftojnë për të imagjinuar një llahtari që asnjë roman fantastiko-shkencor nuk ka mundur të ndjellë: një grumbull stërmadh shenjash të çdo lloj alfabeti që lexohen nga një robot dhe prej të cilave gurgullon, si shurup viskoz, lëngu i vlerave.

InkuizitoriMoth

Një koncept është i vështirë të kuptohet sepse nuk dëshirohet të pranohet.

InkuizitoriMoth

Fakti dhe dokumenti janë si trup pa shpirt, kërma të dekompozuara ose mumje si fakte të dokumentuara nëpër anale; shpresa që ne të dimë është qenia e dëshmitarëve në të përtejmen.

InkuizitoriMoth

Fundi i Historisë ka vetëm kuptim pozitiv, si fund i të keqes, dhe është një koncept fetar në origjinë, më i theksuar në fetë e Librit, veçanërisht në Krishterim dhe teologjinë e krishterë. Hegeli e ka laicizuar konceptin fetar të Fund i Historise, ndërsa Fukuyama, akoma më keq, e ka politizuar duke degraduar me tej e duke treguar se potencialisht ka gjithmonë një fund akoma më të keq. Fund më i keq sa s’ka më keq është koncepti postmodern për historinë që është një grumbull kaotik ngjarjesh pa fillim e pa fund.

InkuizitoriMoth

Diskurset për perëndimin e Perëndimit, që kanë për profet Spengler & co, thellë thellë janë të motivuar nga kënaqësia arketip e Thanatos, e cila është destini i Krishtërimit dhe për pasojë edhe Perëndimit të themeluar në Krishtërim, meqë vënë në kryq themeluesi tha: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote”.

IliaToli

5 komente, të pesta ti. PPU ishte një vend aq dinamik, ti e thave.

InkuizitoriMoth

1234567890

InkuizitoriMoth

Perëndimi nuk perëndon kurrë sepse përfiton nga situata ekstreme dhe përfundimtare e historisë e ashtuquajtur globalizëm; nëse Perëndimi merr fund, ateherë merr fund planeti dhe tërë njerëzimi. Situata e sotme është e ngjashme me kalbjen e Perandorisë Romake, por nuk është e njëjta gjë. Historia mund të vazhdonte mbas shembjes së Perandorisë Romake, si edhe ndodhi, por nuk mund të ndodhë e njëjta gjë me Perandorinë perëndimore, gjithnjë e në kalbëzim e sipër stand by derisa të zgjidhet pozitivisht situata.

InkuizitoriMoth

Falë Covid-it kemi mbërritur Fundin e Informacionit dhe hyrjen në Epokën e Fak(e)informacionit me interpretime të panumërta pozicionesh kamasutra.

InkuizitoriMoth

Filosofia shpjegon noumenin, shkenca hulumton fenomenin.

InkuizitoriMoth

Fakti që rërat e shkretëtirave fshehin qytetrime të mëdha të mbirë në tokë dikur pjellore, dëshmon për natyrën acide të kulturës.
Tokë e xanun, tokë e djegur.

InkuizitoriMoth

Shndërrimi i fetarit në ateist mund të thuhet ndryshe shndërrim i fanatikut në supersticioz.

InkuizitoriMoth

Të kërkohet një kuptim në histori është si të kërkohen nëpër re forma luanësh dhe malesh - Jorge Luis Borges

Nëse historia nuk ka kuptim, atëherë edhe sjellja e njeriut pa kuptim; të kërkohet një kuptim në sjelljen e njeriut, dmth të kërkohet drejtësi, respekt dhe mirdashje, është si të kërkohen nëpër re shtëllungore forma tankesh që bombardojnë shtëpitë ose forma shkrimtarësh të mëdhenj hipokritë që thonë vetëm fjalë të bukura me shumë kuptim.

InkuizitoriMoth

Fan-i dhe turisti, komplementare midis tyre si mendja dhe trupi, janë dy figurat më të degraduara, më të kota, më shkatërrimtare dhe më të rrezikëshme të races njerzore, shënojnë fundin e botës, me tej nuk shkohet dot. Fan-i dhe turisti kërkojnë të mbushin përkatësisht boshllëkun ekzistencial shpirtëror dhe kotësinë e qenies fizikisht diku në botë në kërkim të dalldisur përkatësisht të Adamit (dhe Evës) origjinal dhe Edenit të humbur në origjnë të historisë.

InkuizitoriMoth

Fan-i dhe turisti, dy pyetjeve më kryesore ekzistenciale, përkatësisht: “Kush jam unë?” dhe “Çfar po bëj këtu?”, i japin përgjigje me veprimet e tyre që njeriu është një kotësirë kozmike që endet kot më kot nëpër botë.

InkuizitoriMoth

E kuptuara nuk është vetëm akt intelektual, por edhe akt veprimi konkret; nuk ka njohje pa vepruar më parë, njohje në hava pa veprim konkret është falsitet.

InkuizitoriMoth

Një vepër arti dikush e gjen llahtarisht të shëmtuar dhe dikush tjetër i kundërvihet se i duket sublime; i treti pe të vërteti paqton palët në sherr drejt e në ferr duke e quajtur vepër sublime pikërisht se vepër llahtarisht e shëmtuar.

InkuizitoriMoth

Dashuria është me përkufizim një dhuratë e pamerituar; përkundrazi, të qenit i dashuruar pa meritë është prova e dashurisë së vërtetë […] Është shumë më tepër e vyer të thuhet: Jam i çmendur pas teje edhe pse nuk je as inteligjent dhe as i ndershëm, megjithëse je gënjeshtar, egoist dhe i poshtër! - Milan Kundera, Ngadalsia

Kjo fjali është një shembull i shkëlqyeshëm se dallimi midis të rremës dhe të vërtetës, midis të ndyrës dhe të pastërtës, është një fije tepër e hollë rreth të cilës luhet si xhongler me fjalën, e cila nuk e rrok dot tërë realitetin, arsye përse fjala është e lirë. Midis lirisë dhe xhonglerizmit pervers ndodhet e padallueshme, por jo e pandjerë, e njëjta fije e hollë.

InkuizitoriMoth

Kush nuk ka vizione të mëdha për të ardhmen dhe të tashmen, nuk ka pasur as vizione të mëdha në të kaluarën.

InkuizitoriMoth

Vesi dhe imoraliteti kanë qenë gjithnjë të pranishme në histori, por në epokën postmoderne ose postotalitare (pjesërisht në postnazifashizëm dhe krejtësisht në postkomunizëm si Fund i Historisë) ndodh një hop cilësor: imoraliteti fiton normalitet në opinionin publik - deri zyrtarisht dhe ligjërisht -, sepse nuk ka kush e kundështon më, nuk ekziston më as morali hipokrit totalitar që t’i kundërvihet. Një shoqërie i duhet me patjetër dialektika e të kundërtave që të ekzistojë, prandaj shoqërisë postmoderne i duhet të rishpikë të kaluarën obskurantiste totalitare si akoma e pranishme në mes tënë që i kundërvihet me furi të resë të ndritëshme demokratike. Realisht nuk ka lufte të kundërtash sepse e keqja ka fituar totalisht dhe totalitarisht në realitet, e mbi të zhvillohet në surealitet beteja e rrebët për demokraci të kërcënuar nga një armik që nuk ekziston. Ekziston vetëm demokracia, vetë zot e vetë shkop, vetë mik e vetë armik.

InkuizitoriMoth

Kur nuk je në vendin tënd që të shkon për shtat, vetë vuan, por edhe të tjerët i bën të vuajnë.

InkuizitoriMoth

Ekzistojnë kontekste ku dashuria për tjetrin nuk është pëdëllimi dhe falja, sipas rëndom Tekstit, por e kundërta: dhënia e një flakurime turinjve tjetrit që t’i bëjnë sytë xixa.

InkuizitoriMoth

Për abdsurd demokracia demaskon kultin e individit dhe mbivlerson dhe hyjnëzon individin.

InkuizitoriMoth

-Të them një sekret, por mos ja trego njeriu.
-E mora vesh, “mos ja trego njeriu” do të thotë “shko e tregoja të gjithëve”, sepse e rëndë është pesha e sekretit, po aq sa e mëkatit. Kështu që mos u bëj merak, nuk do rri pa e treguar vërdallë, por nuk besoj të jetë nevoja sepse një sekret të treguar e dinë të gjithë, potencialisht dhe praktikisht.
(nga Ditar i një fuksi)

InkuizitoriMoth

Kur njeriu gënjen, spijunon ose bën çfardo të keqe tjetër i shtërnguar nga rrethanat, me fjalë të tjera nga halli, justifikohet logjikisht duke u gjendur arsyeja. Por ndodh që njeriu, edhe se është për bukuri e me të gjitha të mirat, të keqen e bën pa asnjë arsye dhe pa qenë nevoja, për thjeshtë luks, me fjalë të tjera nga malli, pra akuzohet duke u gjendur arsyeja e mosarsyes. Ky rast i fundit demaskon shpjegimin e parë duke maskuar arsyen e vërtetë që njeriu ndjehet keq brënda vetes edhe në situatën më të mirë, dmth që e keqja e ka një arsye ekzistence të pavarur nga rrethanat.
(nga Ditar i një fuksi )

Katror

Xake, desha te te ve ne dukje ne mënyre miqësore se ke harruar nje R tek titulli i shkrimit qe tani lexohet Percatje ne vend te Percartje, gabim i vogel ky qe sidoqoftë nuk ia ul vlerën aforizmave qe rreshtohen me poshte.
Me shpresën qe gjithçka te rregullohet sa me mire e me shpejt per te mirën e lexuesit qe kërkon drite.
Tung.

InkuizitoriMoth

Motivacioni më i thellë i çdo diskutimi, sidomos atij politik, është: Jom ene una ktuna!. Problemi është se edhe bashkëbiseduesi pretendon njësoj që është edhe ai ktuna duke qenë atjena.

InkuizitoriMoth

Gjuha nuk është në gjëndje të shprehë si duhet një mendim pozitiv pa lënë mundësi keqkuptimi; çdo e thënë, sado e përsosur, lë një peng papërmbushje, prandaj kërkimi i ethshëm i gjuhës parababelike.

InkuizitoriMoth

Vendësi sapo i bie në të nga theksi qe je i huaj ekstrakomunitar, fillon e nuk kupton çfar flet, megjithse i drejtohesh në gjuhë korrekte, e nga ana tjetër, i ndikuar nga moskuptimi i tij, fillon e bëlbëzon vërtet fraza në gjuhë jo korrekte. Kur mu ankua një italian se vëndasit sapo i bien në të nga theksi që është nga provincë tjetër, fillojnë e nuk kuptojnë edhe frazat më të thjeshta, janë injorantë, katunarë provincialë, nuk njohin gjuhën zyrtare, njohin vetëm dialektin etj, atëherë doli më e qartë se ky është reagim i çdo lloj komunikimi me tjetrin, i cili është i huaj jo vetëm se nuk njeh mirë gjuhën tënë aq të ëmbël e aq të dlirë, por sepse tjetri është i huaj me përkufizim, dhe me ta ndjerë këtë, “uni” i mbyll qepenat sepse ka frikë nga tjetri edhe sikur të jetë vëllau i tij.
Tjetri flet gjithnjë në gjuhë të huaj.

Alba2265

Amerikanet(nje pjese e tyre ) veprojne ne te njejten menyre ndaj te huajve.

InkuizitoriMoth

Gjuha standard, në mos për tjetër vlen si edukim moral altruizmi, për të treguar që origjinalisht potencialisht njerzit nuk janë të huaj për njëri tjetrin.

InkuizitoriMoth

Lumsi ti që di gjuhë të huaj!

InkuizitoriMoth

Shpjegimi literal që i jipet mitit të Kullës Babelit, më tepër i takon të ardhmes së afërt se të kaluarës së largët.

InkuizitoriMoth

1234567890

InkuizitoriMoth

Interpretimi dhe relativizmi i ideve sipas dëshirës dhe shijës së çdonjerit ka shvleftësuar idetë dhe njerzit që i mishërojnë, sepse në fund të fundit, pa jerarki vlerash, dogmash dhe aksiomash, një ide vlen tjetrën, një person vlen tjetrin, me përjashtim të idesë se një sistem vlen tjetrin. Në këtë rast të fundit, sistemi demokratik, mbështetur në dogmën e interpretimit të lirë dhe relativizmin e ideve, është superior ndaj çdo sistemi tjetër.
Gjithçka reduktohet në lodra fjalësh.

InkuizitoriMoth

Gjuha postsbabelike nuk mund të përshkruajë dot lumturinë sepse lindi në mënyrë të natyrshme nga ngjarja e palumtur e shembjes së konstruksionit të arrogancës dhe sfids që synonte të rrokte Qiellin. Prej këtej origjina e termit “rrokaqiell”, kuptimplotë në termin italian (bërë pjesë e fondit ndërkombëtar) grattacielo=qiellkruajtëse, kruhet me Qiellin.
Fjalët janë copa tullash postbabelike që prodhojnë lumturi kur i hidhen kokës të tjerëve.

InkuizitoriMoth

Në epokën ngambrapa distanca më e shkurtër midis dy pikave nuk është drejtëza, por shkarravina ose një pikë e tretë.

InkuizitoriMoth

Përkufizimi i kitschit:
Distanca më e shkurtër midis dy pikave nuk është drejtëza, por shkarravina ose një pikë e tretë.

InkuizitoriMoth

Një ushtar i Gardës me kokë katrore (kuadrot e Gardës zgjidheshin me qëllim malsorë nga fshatra të izoluar që të mos të merrnin vesh nga bota, dmth të ishin të besuar për Partinë), që bënte roje në Bllokun e Udhëheqsave, qeshi me të madhe kur një marksist-leninist amerikolatin e përshëndeti me grusht duke i folur në spanjisht. Për herë të parë ushtari i gardës dëgjonte më të gjallë tingëllima pa pikë kuptimi për të, ka mundë që konsideronte shqipen si të vetme gjuhë në botë. Duhet të jesh injorant të kuptosh se shembja e Kullës Babelit është fenomen komik, ndërsa për të kuptuar që është fenomen tragjik, duhet të jesh linguist i zoti.

(nga Ditar i një fuksi)

InkuizitoriMoth

Sindroma longCovid, vazhdimi i sintomave të sëmundjes me muaj dhe deri vite edhe mbasi tamponi rezulton negativ, ose akoma më keq, rasti kur i sëmuri lëngon pasojat e Covid në mënyrë latente pa pasur asnjë sintomë Covid, është dyfish vuajtje, sepse personi nuk gjen paqe jo vetëm nga vuajtja kronike, por sepse nuk mund të kuptojë kurrë se gjëndja longCovid, është shkaktuar nga Covid, apo ndonjë sëmundje tjetër e rëndë, ose pleqëria galopante etj. Dmth vuajtjes fizike i shtohet edhe vuajtja shpirtërore që njeriu nuk di kurrë nga i vjen e keqja, gjë që është rëndom situata e historisë njerzore, ilustruar nga Covid, që i qofshim falë se na e ka bërë të qartë nëpërmjet longCovid.
Nga Rënia e tëhu, historia e njerzimit është një longCovid.

(nga Ditar i një fuksi)