Një histori e së Keqes
“Letërsia dhe e keqja” (1957) ishin një seri esesh që u botuan në revistën e tij “Critique” ku flet për Proust-in, Sade-n, Baudelaire-n, Genet-in, Kafka-n, Blake-un, Emily Brontë-n etj., përpjekje autentike për të dalluar problemin e të Keqes në burim të krijimit të këtyre autorëve.
Te “Historia e syrit” ai merret me realitetin e erosit në kufirin transhendental të jetës nga vdekja. Është një problem për të cilin ai i detyrohet shumë Marquis de Sade (1740-1814). Bataille e lexoi dhe shkroi për të si askush tjetër.
Kur flitet për erosin në kufi të jetës me vdekjen, të dy këta autorë libertinë nuk shohin kufi ndarës, po një shtrat të përbashkët, aq saç i përkasin të njëjtës mitër dhimbja dhe kënaqësia.
Erotizmi është pëlqimi i jetës në gjirin e vdekjes, thotë Bataille.
Në udhëtime imagjinare sodomike e libertine Sade-i krijonte një hapësirë për meditimet mbi natyrën njerëzore: për vesin që shpie në thellësi të rrezikshme, për virtytin - vepër e mendimit të thelluar, për ferrin në gji të jetës.
Burri libertin, i lirë seksualisht dhe gruaja e devotshme; burri incestuoz dhe gruaja incestuoze; burri që do modelin e gruas, vazo e farës së tij - modeli i botës sipas burrit krijues; prifti që i thur himn ndërgjegjes ku natyra shkruan tërë detyrat njerëzore; janë ndër karakteret e veprave që Sade-i shkroi i izoluar në Bastijë, “ena” në të cilën u dogjën dalëngadalë kufizimet e ndërgjegjshme të njeriut, nga flaka e një pasioni të cilin e përforconte edhe më shumë pamundësia e plotësimit.
Bataille i referohet gjatë “Filozofisë së sallonit” ku individualiteti arsyetues i Sade-it po përgatiste një ndërgjegje të çliruar e cila e pranon të Keqen "si mënyrë e vetëdijshme të jetuari: çka e bën qenien ajo që është dhe jo ajo që duket. Qëllimi është krijimi i “QENIES SUPREME KEQADASHËSE, ateiste dhe gjakftohte”.
“Shkatërrimi është njëri nga ligjet e para të natyrës. Dhe mizorja është ndjenja e parë që natyra ka stampuar tek ne. Mizoria është brenda natyrës. Ne të gjithë lindim me një dozë mizorie, të cilën e zbut vetëm edukimi, por edukimi nuk është brenda natyrës.”
Arti i Sade-it, shkruan Bataille, qëndron në krijimin e gjendjeve torturuese. Nën këtë gjendje qeniet gëzojnë një pasion absolut dhe ndihen krijesa sovrane që nuk njohin ligjet, zakonet, ndëshkimet dhe që ekzistencën e tjetrit e bëjnë të pavlefshme.
Pa transgresionin dhe mëkatin natyra nuk është më natyrë, domethënë e rrezikshme.
Te “Historia e syrit” personazhet provojnë dashurinë, seksin, dhunën dhe përjetojnë vdekjen në kufijtë e mizorisë.